Mëngjesi i sotëm nisi me një incident që pasoi me kanosje serioze në Spitalin Rajonal të Pejës. Një përleshje mes dy personave te Ambulanca Specialistike përfundoi me arrestimin e të dyshuarit, i cili fillimisht iku nga vendi i ngjarjes, ndërsa tashmë është dërguar në mbajtje.
Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se i dyshuari për këtë rast është Shain Murati, 65-vjeçar, i cili pas shoqërimit në stacion policor dhe intervistimit për veprën me të cilën ngarkohet, u ndalua për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Burimet nga Prokuroria njoftuan se sipas informacioneve të para i dyshuari e ka goditur me shufër druri një person tjetër, i cili është afarist, te Ambulanca Specialistike, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me babain e tij (babain e viktimës).
Sherri që plasi aktivizoi Policinë, me ç’rast disa njësi policore intervenuan, ku morën një deklaratë nga viktima e rastit (emër i njohur për redaksinë), i cili ka rrëfyer se i dyshuari e ka kërcënuar seriozisht duke i thënë “S’e lo pa t’vra, nuk i thom vetit njeri nëse nuk të vraj”.
Sinjali merr vesh se pas marrjes së informacioneve të para, Policia është vënë në ndjekje të të dyshuarit, i cili nuk e shijoi lirinë gjatë pasi u arrestua, me ç’rast gjatë kontrollit policor është sekuestruar edhe shufra e drurit.
Pas shoqërimit në Polici, i njëjti ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.