Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar ekskluzivisht për identitetin e personit që dyshohet se kreu grabitje të armatosur në marketin ‘Tina’ në Gjilan. 40-vjeçari Sadat Ismajli, ka arritur të marrë arkën me para, por plani nuk i shkoi siç deshi. Punëtorët e marketit arritën ta ndalnin derisa Policia intervenoi dhe e arrestoi. I njëjti tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Ismajli gjatë intervistimit para hetuesve policorë ka pranuar se përveç grabitjes në ‘Tina Market’, ditë më parë ka kryer grabitje edhe te një punëtor i pompës së derivateve ‘Veda Petrol’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit më kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Grabitje me armë’.
Ndërkohë në media janë publikuar pamjet nga momenti i grabitjes, ku shihet konfrontimi i punëtorëve të marketit me Ismajlin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.