Banorët e një ndërtese në lagjen “Dardania” të Prishtinës janë terrorizuar sot kur pjesëtarët e Njësisë Speciale tentuan të hynin në banesën e A.T, i dyshuar për grabitje në një shtëpi në Shtime. Në kushte anonimiteti, fqiu i të dyshuarit ka rrëfyer ngjarjen për Sinjalin.
Para se A.T të prangosej, banorët e ndërtesës ishin terrorizuar me zhurmat e shkaktuara. I dyshuari përkunder vërejtjes që ka pranuar nga policia dhe kërkeses për hapjen e derës, ishte paraqitur sikur nuk ishte aty. Njësitet Speciale të Policisë janë detyruar ta thyejnë derën, me ç’rast është arritur arrestimi i A.T.
“Ështe dëgjuar zhurmë e madhe gjatë përpjekjeve me thy derën e banesës”, thotë fqiu i A.T për Sinjalin.
Sipas tij, kjo situatë ka zgjatur rreth një orë.
Arrestimi i A.T u bë sot rreth orës 18:30. Ai është me prejardhje nga një fshat i Pejës por prej vitesh jetonte në lagjen “Dardania” në Prishtinë. A.T është i dyshuar për grabitjen që ndodhi para dy ditësh në shtëpinë e një mërgimtari në Shtime. Sipas policisë, aty u vodhën 24 mijë franga, mbet i vrarë shoku i A.T, Fehmi Gashi dhe u plagos N.Ndrecaj (pronari i shtëpisë).
Në arrati për këtë grabitje janë edhe dy persona të cilët po kërkohen nga policia.