image I dërguari i kryeministrit britanik për tregti viziton Kosovën

Politikë

I dërguari i kryeministrit britanik për tregti viziton Kosovën

news image

Në mbështetje të ditës së pavarësisë së Kosovës dhe për të promovuar tregtinë ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, i dërguari i kryeministrit britanik për tregti ka vizituar Prishtinën.

Përpara ditës së pavarësisë së Kosovës, Deputeti Martin Vickers u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ku u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat u vlerësuan të shkëlqyera me mundësi zgjerimi të mëtejshëm.

Presidentja Osmani vlerësoi ndihmën e Britanisë së Madhe për Kosovën, duke shpresuar për intensifikimin e saj të mëtejshëm.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shfaqur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit në sferën e ekonomisë dhe mbrojtjes.

Sipas saj është mirë që lidhjet historike ndërmjet dy shteteve të zbërthehen në mundësi ekonomike si dhe e ka informuar deputetin Vickers se  institucionet kosovare kanë bërë përparim në sundimin e ligjit dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj.

Vickers u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi se Mbretëria e Bashkuar është një partner i pazëvendësueshëm i Kosovës.

Kryeministri falënderoi të dërguarin për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga Mbretëria e Bashkuar në të kaluarën, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Vickers vlerësoi veprimet e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe shtoi se kryeministri Johnson me emërimin e një të dërguari në Ballkanin Perëndimor po tregon se ne e marrim rajonin shumë seriozisht, tha zoti Vickers.

“Edhe pse nuk jemi më pjesë e Bashkimit Evropian, të jeni të sigurt se ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër dhe t’ju ndihmojmë”, theksoi ai.

Vickers është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ku kanë diskutuar për zhvillimet politike, bashkëpunimin ndërparlamentar, rritjen ekonomike dhe tregtinë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Vickers falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, si dhe përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Vickers u takua edhe me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për Republikën e Kosovës, Rozeta Hajdari, e cila falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.  

Në prezantimin e prioriteteve të ministrisë dhe përparësive konkurruese që ka Kosova për afaristët britanik në kërkim të të bërit biznes në lokacione më të afërta gjeografike, Ministrja Hajdari shprehi gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ajo theksoi zbatimin e Marrëveshjes Tregtare me Mbretërinë e Bashkuar përmes themelimit të komitetit ekonomik të përbashkët dhe rrjetëzimit në mes bizneseve kosovare dhe britanike, përfshirë dhe afaristët nga diaspora.

Të dy palët çmuan marrëdhëniet e mira mes vendeve mike dhe u pajtuan për shkëmbimin e përvojave britanike me qëllim të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe rritjes së investimeve në Republikën e Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Vickers u takua edhe me biznese britanike që operojnë në Kosovë dhe biznese kosovare të interesuara për të eksploruar mundësitë me Mbretëri të Bashkuar.

/GazetaSinjali/