Një person është arrestuar nga policia për veprën penale “Pornografia me të mitur”, pasi përmes rrjetit social Facebook, u ka dërguar imazhe të turpshme dhe imazhe të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur banues në Amerikë.
Policia bën me dije se i arrestuari është shtetasi D. Dh., 26 vjeç, lindur e banues në Fier, ndërsa në gjendje të lirë u proceduan edhe dy shtetas, 22 e 25 vjeç, banues në Tiranë e Fier.
Operacioni i koduar “E-TRACE” u zhvillua nga Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Policinë Tiranë e Fier dhe me agjencinë ligjzbatuese “Homeland Security” në SHBA.
Hetimet kanë zgjatur rreth 1 vit, ku më pas Prokuroria ka regjistruar procedimin penal mbi bazën e materialit kallëzues, i cili kishte të bënte me dy profile në rrjetin social facebook, nëpërmjet të cilëve janë prodhuar e dërguar imazhe të turpshme dhe imazhe të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur.
“Përdoruesit e këtyre profileve, me anë të komunikimeve në rrjetin social facebook, në periudha të ndryshme, kanë ngacmuar dy fëmijë të mitur, 9 vjeç e 12 vjeçe, banues në Amerikë. Nga hetimet e kryera në vazhdimësi u provua se të dyja këto profile i përkisnin 26-vjeçarit nga Fieri”, sqaron policia.
Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një laptop “Lenovo”, 10 aparate celular, karta e USB-së dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se kanë të bëjnë me veprën penale.
Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat të cilët mund të jenë të lidhur me këtë shtetas.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 10 vjet burg./oranews