Klientët e lokalit të njohur në kryeqytet ‘Bon Vivant’ gjatë mbrëmjes së djeshme janë terrorizuar nga një person i cili kishte shkuar atje i armatosur. Sinjali sot raportoi se i dyshuari që përfundoi në ndalim policor, kishte kërcënuar edhe dy persona që ndodheshin në kafene.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u arrestua në vendngjarje është 33-vjeçari Regont Zeqiri.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja?
Sinjali mëson se Zeqiri kishte hyrë brenda hapësirave të lokalit me armë në brez dhe në gjendje të dehur, për motive ende të panjohura, dyshohet se ka kanosur seriozisht dy persona.
Përballë kësaj situate, rasti është denoncuar në organet e rendit, duke bërë kështu që Policia të intervenojë menjëherë dhe i dyshuari të kapet në vendin e ngjarjes.
33-vjeçari i është nënshtruar kontrollit trupor, me ç’rast zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar armën bashkë me një karikator dhe fishekë.
Zeqiri është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘“’Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.