Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli së bashku me pesë pjesëtarë të tjerë të kësaj klinike janë vetizoluar pasi kanë pasur kontakt me një person të prekur me koronavirus.
Veseli ka thënë se ai bashkë me pjesëtarët e tjerë janë vetëizoluar që nga e diela.
“Kontaktin e parë me një person të prekur me koronavirus e kemi pasur të premten unë dhe dy pjesëtarë të stafit të klinikës. Ne të dielën menjëherë jemi futur në izolim si masë parandaluese, ndonëse ende nuk kemi ndonjë simptomë të këtij virusi. Gjendja e të gjithë neve është e mirë dhe stabile”, ka thënë Veseli për Kohën.
Megjithatë, ai ka thënë se do të ishte mirë që atij dhe stafit të tij t’i bëhej testi në mënyrë që në rast se dalin negativ të vazhdojnë punën në Klinikën e Biokimisë, pasi që është e nevojshme aty të vazhdohet puna.
Veseli më tej ka shtuar se edhe në laboratorin e Klinikës së Biokimisë, janë disa analiza që bëhen për të prekurit me koronavirus.
Në Kosovë aktualisht janë konfirmuar 71 raste me koronavirus dhe është shënuar një viktimë. Teksa gjatë ditës së djeshme nga Ministria e Shëndetësisë, kanë raportuar se dy pacientë që ishin të infektuar kanë rezultuar negativ në testet e përsëritura. Megjithatë për t’u konstatuar shërimi i tyre duhet të bëhen edhe testet kontrolluese.