Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonin lindor Luhansk, ka thënë ushtria ukrainase më 23 maj, pasi forcat ruse tentojnë të rrethojnë qytetin Severodonjeck në këtë rajon.
Luftimet e ashpra në lindje të Ukrainës kanë rezultuar me vdekje të shumta të ushtarëve rusë, ka thënë inteligjenca britanike, duke vlerësuar se në tre muajt e parë të luftës në Ukrainë, Moska është përballur me një shifër viktimash, të ngjashme me atë që ka përjetuar ish-Bashkimi Sovjetik gjatë luftës nëntëvjeçare në Afganistan.
Mbrojtësit ukrainas u kanë rezistuar 11 sulmeve të armikut në 24 orët e fundit, teksa trupat ruse vazhdimisht tentojnë të kalojnë përtej, andaj edhe janë duke përdorur pajisje ajrore për të shkatërruar infrastrukturën, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 23 maj.
Në Severodonjeck, guvernatori rajonal, Serhiy Hayday, ka thënë se forcat ruse po tentojnë të rrethojnë qytetin me taktika shtatërruese.
Rusët është thënë se janë duke bërë përparim të kufizuar në këtë qytet ku pritet të nisin rrethim të ri.
Hayday ka thënë se Rusia është duke koncentruar atje trupat që ka pasur fillimisht në rajonin e Harkivit, disa nga Mariupoli si dhe trupa të mobilizuara nga Siberia, për të shtuar sulmet në rajonet Donjeck dhe Luhansk.
Të paktën shatë civilë janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur më 22 maj rreth rajonit Donjeck, ka thënë ushtria ukrainase përmes një postimi në Facebook.
Bombardimet ruse dhe sulmet me raketa janë dëgjuar edhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, si dhe në qytetet Mikollaiv dhe Zaporizhja në jug, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
Ushtria britanike ka thënë në përditësimin e saj të fundit se shkalla e lartë të vdekshmërisë në anën e forcave ruse “vazhdon të rritet përgjatë ofensivës në Donbas”, si pasojë e disa faktorëve, përfshirë taktikat e dobëta, mbrojtje të pamjaftueshme ajrore, fleksibilitet të ulët dhe komandë që përsërit gabimet”.
Në këtë njoftim është thënë se rritja e vazhdueshme e numrit të viktimave mund të çojë në pakënaqësi në Rusi, pasi rusët në të kaluarën janë treguar të ndjeshëm ndaj humbjeve të përjetuara gjatë luftërave.
Zyrtarët ukrainas janë deklaruar pak për humbjet e tyre prej nisjes së luftës, mirëpo presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 22 maj se 50 deri në 100 ushtarë ukrainas po vriten, me sa duket çdo ditë, në lindje të shtetit.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka rritur edhe numrin e personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se për herë të parë bota ka regjistruar mbi 100 milionë njerëz të zhvendosur.
“Numri i njerëzve që u ikin konflikteve, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe persekutimeve, ka arritur në 100 milionë për herë të parë në histori. Kjo gjë është nxitur nga lufta në Ukrainë dhe konflikte tjera vdekjeprurëse”, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
Në Ukrainë, tetë milionë njerëz janë zhvendosur brenda shtetit, derisa gjashtë milionë të tjerë janë larguar jashtë kufijve, ka thënë Komisionari i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.
Më 22 maj, Parlamenti ukrainas ka vazhduar gjendjen e luftës deri më 23 gusht, me kërkesë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksy.
Në Kiev, një panel i gjykatësve do të bëjë të ditur vendimin në gjyqin e parë për krime lufte.
Rreshteri rus, Vadim Shishimarin, 21-vjeçar, e ka pranuar se ka vrarë një civil 62-vjeçar në fazat e para të pushtimit rus në Ukrainë, mirëpo i ka thënë gjykatës se ka qenë i detyruar dhe “i vjen shumë keq”, shkruan REL.
Prokurorët, të cilët kanë kërkuar dënim me vdekje, kanë thënë se ai “ka qenë në dijeni” se ka zbatuar “urdhër kriminal”.