Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur për herë të parë pasi nuk arriti të rifitojë mandatin e deputetit në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Ka ndodhur diçka që ndoshta kam pasur nevojë të pushoj. Atë që e kisha konsideruar të domosdoshme është që në Kosovë sa më shpejt të ndryshojë sistemi zgjedhor dhe të përcaktohen rregullat e lojës për ata që garojnë”, tha Haliti në RTV Dukagjini.
Ai thotë se në sistemin me lista të mbyllura të gjitha partitë kanë pasur përfaqësimin më të mirë në Kuvend por sipas tij sistemi i hapur mundëson një garë të tillë.
“Një bujk mund të fitojë në këtë sistem zgjedhor pasi bujqit mendojnë se ai mund të mbrojë interesat e tyre më mirë se dikush tjetër i përzgjedhur nga partia”.
Haliti ka thënë se është mirë të mbyllen listat në mënyrë që të mos ketë përplasje mes kandidatëve të partisë së njëjtë.
Haliti konsideron se opozita do ta kthjellë PDK-në.
“Nuk mund të them se PDK nuk ka humbur. Ka pasur një gjueti shtrigash ndaj saj me vite të tëra. Të qenurit në opozitë do ta kthjellë PDK-në për luftën politike në të ardhmen”. /Gazeta Sinjali/