Pilotja profesioniste dhe prezantuesja televizive Jessi Combs ka humbur jetën pas një aksidenti me makinën e saj me motor reaktiv ndërsa po përpiqej që të thyente rekordin personal të shpejtësisë në shkretëtirën Alvord në Oregon.
36-vjeçarja, e cilësuar si gruaja më e shpejtë në botë “mbi katër rrota”, vendosi një rekord me makinën saj në vitin 2013, duke ecur me një shpejtësi prej 480 km/h.
Në vitin 2016, ajo arriti të shkonte deri në 777 km/h, por makina nuk e përfundoi xhiron e plotë për shkak të problemeve teknike.
Ajo humbi jetën mbi të njëjtën makinë që provoi të thyente rekordin tre vite më parë, të quajtur “Shqiponja Supersonike” e Amerikës së Veriut.
Detajet e vdekjes nuk janë bërë ende të ditura, por nga njoftimi zyrtar i familjarëve u kuptua se kishte ndërruar jetë në prani të njerëzve më të dashur.
Vetëm pak ditë para vdekjes, Combs kishte shprehur dëshirën për të thyer rekordin e shpejtësisë me këto makina, që ishte 813 km/h.