Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet t’i shfuqizojë vendimet që i kishte marrë Qeveria Haradinaj pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ndër to edhe emrimin e koordinatorëve. Edhe Besnik Tahiri, Koorindator Nacional për Reforma Shtetërore parashihet të shkarkohet, por ai në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se Kurti nuk mund ta shkarkojë atë pasi ai e ka dorëzuar detyrën. Ai ka thënë se vendimin e dorëzimit e ka bërë publik në dhjetor të vitit të kaluar.
Tahiri ka shtuar se shumicën e punëve i ka përfunduar e disa që kanë mbetur pezull ia ka transferuar Zyrës së Kryeministrit.
“Albin Kurti nuk mundet me më shkarku pasi që unë e kam dorëzuar detyrën para themelimit, vendim të cilin e kam bërë publik në dhjetor të 2019. Në detyrën time unë shumicën e punëve i kam përfunduar dhe disa prej tyre që kanë mbetur pezull i kam transferuar në Zyrën e Kryeministrit tek shërbyesit civil. Jam krenar dhe me vjen mirë që modeli im qeverisës është marr si model i organizimit të ministrive dhe se riorganizimi i administratës së shtetit tani është i organizuar me ligjet që ne i kemi kaluar”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.
Koordinatori për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hotit nuk ka pranuar të deklarohet për këtë vendim që pritet ta marrë Kurti. Ai në një bisedë telefonike ka thënë se nuk ka koment për këtë çështje.
“S’kam ndonjë koment për pyetjen e juaj”, ka thënë Hoti.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet e saj se Kurti pritet t’i anulojë dhjetëra vendime të Haradinajt. Nëse propozimi i Kurtit miratohet në mbledhje të Qeverisë, shumë zyrtarë do të largohen nga vendet e tyre aktuale të punës. /Gazeta Sinjali/