image Hoxhaj thumbon Kurtin e Osmanin: Është e rrezikshme se si ata janë duke linçuar Kushtetuesen dhe KQZ-në

Politikë

Hoxhaj thumbon Kurtin e Osmanin: Është e rrezikshme se si ata janë duke linçuar Kushtetuesen dhe KQZ-në

news image

Asnjë shtet nuk mund të jetë i suksesshëm pa sundim të ligjit. Sundimi i ligjit është kusht elementar për funksionimin e shtetit. Pa sundim të ligjit nuk ka as shtet, as demokraci, ka thënë kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë shpalosjes së programit të rimëkëmbjes në sferën e drejtësisë dhe sigurisë.

Hoxhaj ka kritikuar ashpër Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për presionin e bërë ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Gjykatës Kushtetuese, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai ka thënë se ata që nuk i respektojnë këto institucione dhe këto ligje, që nuk e respektojnë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e këtyre institucioneve ata nuk e respektojnë as sakrificën e shumë brezave.

“Është e frikshme teksa sot shohim disa politikanë duke kërcënuar pavarësinë e këtyre institucioneve. Është e rrezikshme se si Albin Kurti e Vjosa Osmani janë duke linçuar Gjykatën Kushtetuese dhe KQZ-në. Këto dy institucione janë shtyllat e funksionimit të demokracisë, sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë prej politikanëve me mentalitet autokrat. Albini po kërcënon se kushdo që bën thirrje të respektohet ligji unë do ta linçojë. PDK-ja ka mbetur e vetmja digë që do t’i bëjë ballë këtij mentaliteti autokrat”.

Sepse PDK-ja është ajo parti që ka ngritur këto institucione të pavarura shtetërore. Sepse PDK-ja është ajo parti që përfaqëson luftën e shumë brezave për të pasur shtet, institucione dhe sundim të ligjit. Prandaj ne jemi e vetmja shpresë për të gjithë ata që me shumë të drejtë po kanë frikë nga një politikan si Albin Kurti. Nga Albini autokrat që kërcënon Gjykatën Kushtetuese, KQZ-në dhe çdo institucione, politikanë, analistë dhe qytetarë që nuk mendon njëjtë si ai”, tha ai.

Hoxhaj ka shtuar se PDK-ja është e vetmja parti që pa zhurmë e mori vendimin që të largonte nga lista disa individë që kishin probleme me ligjin. Pasi vlerëson se PDK-ja e respekton KQZ-në, dhe institucionet e tjera të pavarura dhe kështu ka vepruar gjithmonë.

Ai po ashtu vlerëson se në zgjedhjet e 14 shkurtit përball janë vetëm respektimi i ligjit në njërën anë dhe kërcënimi ndaj institucioneve që zbatojnë ligjin në anën tjetër, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në këto zgjedhje përball janë vetëm PDK-ja dhe VV-ja. Në të vërtetë në këto zgjedhje përball janë vetëm respektimi i ligjit në njërën anë dhe kërcënimi ndaj institucioneve që zbatojnë ligjin në anën tjetër. Ju qytetarë të dashur e keni në dorë zgjedhjen. A do ta zgjidhni një mendësi që respekton historinë e shtetit, institucionet e shtetit, ligjet e shtetit. A do ta zgjidhni një mendësi të rrezikshme që kërcënon se nuk i njeh ato, nuk i respekton institucionet e shtetit dhe sundimin e ligjit. Fundja ne nuk jemi në politikë prej dje as unë as Albin Kurti. Qytetarët na njohin të dyve, askush nuk mund t’i mashtrojë ata”.

“Albin Kurti ka ndërtuar tërë karrierën duke sulmuar, linçuar dhe kërcënuar institucionet e shtetit, ligjet e shteti, simbolet e shtetit. Unë kam vrapuar në çdo shtet të botës që t’i sjelli njohje Kosovës me flamur të Kosovës. Unë kam punuar për të krijuar institucionet të pavarura së bashku me miq tanë ndërkombëtarë”, ka shtuar Hoxhaj.

Tutje Hoxhaj ka akuzuar Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje edhe për mosprezantim të programit. Ndërsa ia ka përmendur kohën kur Kurti sulmonte me gaz dhe molotov institucionet shtetërore.

Prandaj Hoxhaj shpreh bindjen e tij se Kurti nuk do të jetë kryeministër i vendit.

“Albin Kurti fare nuk e ka shpalosur programin e tij, sepse ai po e fsheh qëllimin e tij të vërtetë. Sepse ai nuk ka program as për sundim të ligjit, sepse ai është shkelësi më i madh i ligjit. Prandaj ai nuk po u tregon qytetarëve se çfarë programi ka. Sepse ai ka vetëm ego të madhe dhe do që të gjithë t’i binden atij”.

Prandaj ai nuk mund të jetë kryeministër i Kosovës. Nuk mund të jetë kryeministër dikush që ia ndalon ligji të jetë deputet. Nuk mund të jetë kryeministër dikush që e ka sulmuar shtetin me gurë, molotov dhe me gaz. Unë dhe ekipi i PDK-së çdo ditë po shpalosim programin tonë. Çdo ditë derë më derë, lagje më lagje, fshatë më fshatë qytet me qytet, dhe dy herë në javë nga kjo hapësirë po prezantojmë programin tonë nga secila sferë”, ka thënë ai.

Në fund Hoxhaj u shpreh i bindur se ai do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, ndërsa ka siguruar se askush nuk mund t’i frikësojë institucionet e pavarura.

/Gazeta Sinjali/