Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është deklaruar se partia e tij nuk ka vija të kuqe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe janë të gatshëm të ulen e të bisedojnë nëse partia e Kurtit shpreh interesim për bashkëpunim, jo vetëm për rrëzim të qeverisë Hoti, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, mocioni i nisur nga LVV-ja nuk është serioz dhe sipas tij ata vetëm flasin për mocionin dhe nuk ndërmarrin asgjë.
“Arsyeja pse vendi nuk po shkon në zgjedhje s’ka të bëjë shumë me PDK-në, sepse s’po e mbajmë peng Kosovën, por kjo ka të bëjë me faktin që Vetëvendosje, sikurse e kemi parë, nuk dëshiron që ta ushtron këtë mocion. Ky mocion është më shumë blof (mashtrim).“
“VV ka frikë prej qeverisjes dhe s’di të qeverisë, prandaj edhe flasin për mocion dhe s’ndërmarrin asnjë. Edhe LDK po ashtu ka frikë nga rënia që po e përjetojnë nga mbështetja qytetare dhe të dyja këto parti e kanë shndërruar vendin në këtë situatë”, tha Hoxhaj në Klan Kosova, përcjell Gazeta Sinjali.
Po ashtu, ai e quajti të natyrshëm koalicionin e mundshëm mes Vetëvendosjes dhe AAK-së, e që sipas tij një i tillë do të ishte koalicion i koktejeve të molotovit.
“VV dhe AAK kanë pasë një koalicion të koktejeve të molotovit dhe këtë e kemi parë në Kuvend. Edhe sot e kësaj dite na ka lënë pa viza dhuna në Kuvend, rrugë dhe sheshe të Prishtinës”, shtoi Hoxhaj./Gazeta Sinjali/