Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sonte një tubim masiv në qytetin e Skenderajt, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj, kërkoi votën e qytetarëve të Drenicës, duke u thënë që mos t’i lënë të depërtojnë në këtë rajon ata që “vijnë me Njësi Speciale”.
“Me votën tuaj, ju do t’i thoni “jo” atyre që nuk i kanë besu kurrë Kosovës, atyre që nuk e kanë njohur kurrë Kosovën, atyre që nuk e kanë njohur kurrë flamurin e Kosovës, shtetin, pavarësinë. Ju e dini që Drenica çdo herë ka qenë front kundër komunizmit dhe sistemit autoritar, edhe kësaj here, mos leni kush që të depërtojë në Drenicë, e të marrë vota prej Drenicës veçanërisht atyre që me Njësi Speciale vijnë në Drenicë. Prandaj më 14 shkurt, fitorja jonë po ndodhë por është detyrë e Skenderajt, e Drenicës që ta bëjë fitoren tonë sa ma të madhe”, ka thënë mes tjerash Hoxhaj.
Më 1 shkurt në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte shoqëruar nga një numër i madh i pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë.