Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar, jo drejtpërdrejt krerët e shtetit, për të cilët ka thënë se duhet ndëshkuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media, duke theksuar se ndjehet krenar që historia e Kosovës dhe fitoret e saj janë të lidhura ngushtë me historinë dhe fitoret e PDK-së, Hoxhaj nga Shtimja ka ftuar qytetarët t’i ndëshkojnë me vota mohuesit e lirisë e pavarësisë, mashtruesit që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia.
“Ndëshkoni këta mohues të lirisë e pavarësisë që para disa vitesh thoshin se Kosova kurrë nuk do të ketë ushtri e sot parakalojnë para kësaj ushtrie dhe thurin lavde për FSK-në. Prandaj ndëshkoni këta mashtrues që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia – ndërsa sot bëjnë turr e vrap dhe janë të gatshëm për kompromise të rënda për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Prandaj mos u besoni këtyre mashtruesve që pretendojnë se historia duhet të nisë me ta sepse kjo nuk do të ndodhë: Historia e Kosovës është historia e këtij populli dhe askush s’mund ta ndryshojë atë”, ka thënë Hoxhaj.