Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në profilin e tij e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për paraqitjen e tij në takimin e parë në dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Gazeta Sinjali.
Hoxhaj është shprehur se java e kaluar shënoi mjerimin politik të kësaj Qeverie, duke thënë se këtë “me cirkuset e tij diplomatike e manifestoi Albin Kurti”.
“Në vend të njohjes nga Serbia, në Vjenë ai kërkoi mos sulmimin nga ajo. Në vend se të zotohet për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit dhe forcimin ekonomik të vendit, mohoi ligjshmërinë e saj”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se pret që Albin Kurti të sillet me përgjegjshmëri shtetërore dhe institucionale në takimin që do të mbahet në Paris.
“Meqë këtë javë Kosovën e pret një tjetër takim i rëndësishëm dhe i vështirë në Paris, uroj që Albin Kurti të ketë reflektuar mbi marrëzitë e tij politike të ditëve të fundit e mjerimin anarkist dhe të sillet me përgjegjshmëri shtetërore e institucionale.”, ka përfunduar Hoxhaj.