Kreu në detyrë i PDK-së e deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për arsimin, ka thënë se Qeveria Kurti nuk është duke e kuptuar rëndësinë që ka kjo temë.
Ai tha para deputetëve, që në Kuvend shpesh është diskutuar për humbje të jetës nga pandemia, por jo edhe për humbjen e një gjenerate në arsim.
“Në këtë Kuvend shpesh herë e kemi pas humbjen e jetës, po nuk e kemi diskutuar se si po humbet një gjeneratë në arsim”, tha Hoxhaj, duke shtuar se që tri herë kosovarët në 30 vitet e fundit po e humbasin nga një gjeneratë.
“Në 30 vitet e fundit, 3 herë radhazi ne e kemi humbë nga një gjeneratë në arsim, në vitet e 90-ta, kur Qeveria i ka mbyllë shkollat, në vitet 98-99 kemi humb një gjeneratë, dhe tash në këto dy vite jemi ka e humbim një gjeneratë”, shtoi ai.
Megjithatë, sipas Hoxhajt, Qeveria Kurti nuk po e kupton rëndësinë e kësaj teme, pasi që shton se kryeministri mungon në sallë.
“Mënyra më e mirë me tregu që kjo qeveri nuk po e kupton rëndësinë e kësaj teme, është mungesa e kryeministrit. Çka nënkupton humbja e një gjenerate në arsim, për këtë ka analiza të ndryshme”, deklaroi Hoxhaj.