Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike, Enver Hoxhaj, në hapje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, ka dhënë premtime, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka treguar se në cilët sektorë do të ketë rritje pagash, nëse vjen në pushtet.
“Rimëkëmbje për studentin domethënë studime falas në universitet. Rimëkëmbje për të rinjtë e papunë domethënë 15 milionë euro për të nxitur ndërmarrjet e reja. Rimëkëmbje për mjekun domethënë mundësi për të ushtruar profesionin e tij këtu, pranë familjes, në qytetin e tij. Me dinjitet. Me pagë dinjitoze – 1500 euro për mjekun specialist dhe 650 euro për infermierët. Rimëkëmbje për fermerët domethënë shlyerje deri në 50% e kredive”, tha Hoxhaj.
Ka premtuar rritje pagash edhe për mësuesit dhe profesorët.
“Rimëkëmbje për mësuesit domethënë rritje e pagave në 600 euro. Rimëkëmbje për profesorët e shkollave të mesme domethënë rritje e pagave në 700 euro. Rimëkëmbje për profesorët universitarë dhe akademikët domethënë rritje e pagave në 1800 euro. Projekti i Rimëkëmbjes, po ashtu, nënkupton pensione dinjitoze për kategoritë e dala nga lufta, për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Pensionet do të rriten nga 170 në 300 euro. Si dhe rritje prej 40 % të pensioneve për pensionistët”, tha Hoxhaj./GazetaSinjali/