Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se beson në pafajësinë e ish- udhëheqësve të UÇK-së, të cilëve u është ngritur aktakuzë nga Gjykata Speciale, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një konference për media, Hoxhaj ka thënë se aktakuzat e Speciales janë goditje ndaj luftës së UÇK-së.
“Fillimi i procesit gjyqësor ndaj kryetarit të PDK-së, Veselit sot dhe ish-presidentit Thaçi dje, e përbën një ngjarje tronditse për historinë dhe për ngjarjet politike sot. Jemi të bindur në pafajësinë e tyre, ata do të jenë fitimtarë dhe faqebardhë në këtë proces. Ne si PDK bëjmë thirrje për vetëdije të lartë patriotike, për unitet të brendshëm. Një situatë e tillë nuk duhet të na gjejë neve të përçarë dhe të papërgatitur. Ky proces vë në dyshim themelet e Kosovës, luftën për liri dhe pavarësi luftën që fitoj zemrat e botës demokratike e që kanë qenë dy arsye gjenocidi në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj para mediave./Gazeta Sinjali/