image Hovenier: Duhet punë sistemore për të luftuar dhunën në familje - Sinjali

Hovenier: Duhet punë sistemore për të luftuar dhunën në familje

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se institucionet në Kosovë duhet të bëjnë më shumë për të siguruar parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje brenda vendit.

“Testi i çdo demokracie është mënyra se si trajtohen njerëzit më të pambrojtur”, tha ambasadori gjatë një diskutimi të organizuar nga Lëvizja FOL, ku u prezantua raporti statistikor në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Hovenier përmendi rastin e vrasjes së 18-vjeçares, Marigona Osmani, në gusht të vitit 2021 në Ferizaj. Për këtë rast ende nuk është marrë ndonjë vendim i gjykatës për të dyshuarit e arrestuar.

Qytetarët meritojnë më mirë. Institucionet duhet të sigurohen që nuk dështojnë për qytetarët e tjerë, sidomos ata të pambrojtur”, tha Hovenier.

Raporti i publikuar nga Lëvizja FOL për vitin 2021 ka treguar se në shtatë prokuroritë në Kosovë është arritur të zgjidhen 63 për qind e të gjitha lëndëve, sa i përket rasteve të dhunës në familje.

Në anën tjetër, shtatë gjykatat themelore të Kosovës gjatë vitit 2021 kanë arritur të zgjidhin 895 lëndë, apo 68 për qind të të gjitha lëndëve të dhunës në familje që i kanë pasur në punë.

Ndonëse, shifrat tregojnë se më shumë se gjysma e lëndëve janë zgjidhur, sipas drejtoreshës së Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, kjo nuk është e mjaftueshme.

“Ky fakt nuk është i mjaftueshëm për të treguar vendosmërinë dhe seriozitetin e organeve të sistemit të drejtësisë ndaj këtij fenomeni kaq të përhapur në shoqërinë tonë”, tha ajo.

Në këtë organizim foli edhe Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu. Ajo përmendi si të arritur të Qeverisë miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.

“Është përgjegjësi institucionale që t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë vajzat dhe gratë në vendin tonë”, tha Haxhiu.

Sipas saj, duhet bërë më shumë në vetëdijësimin e shoqërisë se dhuna në familje nuk “është çështje private”, por duhet të trajtohet te organet e rendit, shkruan REL.

Dhuna në familje u përkeqësua gjatë pandemisë

Raporti i organizatës FOL, por edhe raporte të tjera të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë ndër vite e kanë përshkruar dhunën në familje si fenomen shqetësues dhe që raportohen pak.

Shumë gra dhunën në familje në Kosovë ende e konsiderojnë si një çështje private, prandaj dhuna me bazë gjinore shpesh kalon pa u vërejtur dhe nuk raportohet fare”, thuhet në raportin e Lëvizjes FOL.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: