Kryeministri, Avdullah Hoti, në kuadër të prezantimit të masave të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike, si pjesë e programit qeverisës, gjatë ditës së sotme, mori pjesë në forumin virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Hoti tha se orientimet e qeverisë janë në dy aspekte kohore, në periudhë të shkurtër dhe afatmesme përmes pakos për Rimëkëmbje Ekonomike dhe në periudhë më afatgjate ku do të vendosen bazat e zhvillimit ekonomik.
Ai po ashtu tha se është me interes të krijojnë konsensusin e nevojshëm shoqëror për programin qeverisës të cilin siç theksoi ai, e kanë miratuar në Qeveri dhe e kanë shpërndarë te të gjitha aktorët e tjerë.
“Fokusi ynë kryesor mbetet rimëkëmbja ekonomike, por përtej asaj ne kemi një program bukur të detajuar nëpër fusha të caktuara të ekonomisë”, u shpreh kryeministri Hoti.
Kryeministri shtoi se Qeveria e Kosovës do të jetë e fokusuar në zhvillimin ekonomik afatgjatë, ndërtimin e politikave nxitëse për sektorin privat, politikat tatimore, zvogëlimin e informalitetit, themelimin e Fondit investiv, kompensimin e humbjeve ekonomike të shkaktuara si pasojë e pandemisë si dhe për investimet e jashtme përmes ligjit për investime strategjike.
Me këtë rast,Hoti theksoi se Qeveria gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm parasheh futjen në ekonomi të një shume financiare prej 1.2 miliard euro si infuzion për zhvillim ekonomik, prej të cilave tashmë me rishikimin e buxhetit janë mobilizuar 384 milionë euro.
Hoti mes tjerash ka prezantuar 9 masat që janë paraparë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike siç janë: 1. Lehtësimi i qasjes në financim; 2. Zvogëlimi i barrës tatimore; 3. Masat për mbështetje të punësimit; 4. Bujqësia; 5. Masat për stimulim të kërkesës agregate; 6. Mbështetje për ndërmarrje publike për operim të rregullt dhe investime kapitale të rëndësisë strategjike; 7. Rishikimi i Buxhetit për 2020 dhe relaksimi i kufizimeve fiskale dhe i borxhit publik; 8. Masa mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar; 9. Mobilizimi për financimin e masave./GazetaSinjali/