Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar të raportojë në Kuvend në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Gazeta Sinjali.
Hoti këtë kërkesë e ka bërë përmes një letre që i ka dërguar kryetares dhe kryesisë së Kuvendit.
Letra e plotë:
E nderuara Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Kuvendit,
Më 4 shtator 2020, në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, është arritur një Marrëveshje e rëndësishme për vendin tonë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është hap shumë i rëndësishëm drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes të dy shteteve.
Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të mia kushtetuese e ligjore, jam i gatshëm që në njërën nga seancat e radhës të Kuvendit të Republikës së Kosovës të raportoj para deputetëve për marrëveshjen në fjalë, si dhe për procesin e dialogut në përgjithësi.