Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka bërë të ditur se që nga 30 marsi, kur ka filluar procesi i vaksinimit, deri më tani janë vaksinuar 3 mijë punonjës shëndetësorë, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai tregon se vetëm gjatë ditës së sotme janë vaksinuar mbi 140 profesionistë.
“Gjatë kësaj kohe janë vaksinuar edhe pjesë e shërbimit shëndetësorë që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës ndërsa presim që nesër të vaksinohen edhe shërbimi shëndetësorë që është në kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, ka shtuar ai për EO.
Tutje, Hoti ka treguar se që nga e marta do të fillojë edhe vaksinimi i punonjësve shëndetësorë të sektorit privat.
“Punonjësit shëndetësorë do të vaksinohen edhe gjatë kësaj jave sepse prej ditës së nesërme fillon edhe vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të sektorit privat si dhe vaksinimi shtrihet në komunat e Kosovës, për aq kohë sa vaksinohen punonjësit shëndetësorë mirëpo kur vaksinohen personat më të moshuar, vazhdohet sipas planit të vaksinimit”, tha Hoti./GazetaSinjali/