image Hill i ashpër në Beograd: Armët nukleare janë më të rëndësishme se targat

Politikë

Hill i ashpër në Beograd: Armët nukleare janë më të rëndësishme se targat

news image

Vendimi për targat ka qenë tema hapëse e një paneli në Forumin e Sigurisë në Beograd, gjë e cila, siç duket s’i ka pëlqyr fort ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill. I pranishëm, në diskutim ishte edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili dha detaje rreth planit të Qeverisë Kurti për këtë çështje. Sidoqoftë, diplomati i njohur amerikan këtë e konsideroi këtë si temë jo edhe aq të rëndësishme.

I pari që foli në një panel diskutimi në Beograd, ishte Bislimi, i cili u kyç ‘online’ pasi nuk iu lejua vizita në Serbi.

Ai e shpjegoi planin e prezantuar sot nga kryeministri Albin Kurti për të zbatuar vendimin për targat, i cili përmban tri pika ku fillimisht do të ketë “masë qortimi”, pastaj gjobë, e në fund konfiskim të veturës.

Ambasadori amerikan në Serbi nuk e komentoi shumë vendimin e fundit të Qeverisë Kurti 2, pasi që sipas tij, ka çështje të tjera që janë më të rëndësishme se targat.

Fillimisht, Hill para panelistëve përmendi se në minutat e parë të diskutimit të tyre, po flitej për targat, e jo “për të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë”.

Ai theksoi se në panel, nuk u përmenden as aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Në minutat e parë të kësaj konference, u fol për targat, dhe jo për të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë, nëse kanë të ardhme atje, nëse e kanë – cilat janë rregullat që i motivojnë të qëndrojnë, nuk u fol as për aspiratart e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Hill.

Sipas diplomatit amerikan, krejt këto çështje të rëndësishme janë lënë anash për shkak të targave.

“Jo, ne kemi lejuar që çështje të rëndësishme si këto të shtyhen anash, sepse ato nuk janë aq ‘zbavitëse’ sa targat”, shtoi ai.

Në fund, ai pati disa fjalë edhe për agresionin rus në Ukrainë, derisa shtoi se “këto kohë po flitet për armë nukleare”.

“Shekuj pas kësaj, njerëzit nuk do të flasin për targa të veturave në Kosovë, do të flasin për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës…Ne kemi qenë duke folur për armë nukleare së fundi. A e keni vërejtuar? Është më e rëndësishme se targat e veturave”, tha Hill.

/GazetaSinjali/