Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur për zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
Haziri u shpreh se LDK-në po e pret përpara një fushatë e vështirë elektorale.
“Çdo proces zgjedhor ka vështirësitë e veta, sfidat dhe problemet që sjell procesi zgjedhor në përgjithësi, por ajo që është vështirësi për LDK-në është të qenit në qeverisje. Pas rezultatit të 6 tetorit pas bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen, që zgjati 50 ditë ne ndërtuam qeverisjen e pakicës me shumë probleme dhe sfida në politikë”, tha Haziri në Euronews Albania.
Haziri po ashtu foli edhe për largimin e Vjosa Osmanit nga kjo parti e që sipas tij kjo është një humbje e madhe për të por jo edhe për LDK-në.
“Do dëmtohet vetë zonja Osmani në kontekstin e gjatë politik dhe jo LDK-ja, se ajo do vazhdojë të jetë në politikë”, thotë Haziri.
Teksa iu referohet sondazheve dhe përceptimit publik, Lutfi Haziri thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është kandidate potenciale për të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Unë dhe zoti Hoti do marrim përgjegjësinë dhe do të bëhemi gati për të fituar, pasi sipas sondazheve tona jemi në garë për të dalë fituese”, shtoi nënkryetari i LDK-së./Gazeta Sinjali/