Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se sipas disa informacioneve të saja, numri i trupave të pajetë të shqiptarëve të masakruar që janë gjetur së fundmi në Rashkë të Serbisë është 16, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nga aty janë gjetur 16 trupa të pajetë të shqiptarëve të masakruar, pas 20 vitesh. Shqiptarët që u masakruan në Kosovë u bartën në tokën e armikut, kurse luftëtarët tanë luftuan në tokën e vetë”, tha Haxhiu në Kuvend.
Ndryshe, kryetari i Komisionit për të Pagjeturit në Qeverinë e Serbisë, Velko Odaloviq, ka konfirmuar dje se në një gurore në Kizhevik afër Rashkës janë gjetur disa mbetje mortore.
Odaloviq tha se ata trupa janë gjetur dje dhe se lokacionin e ka siguruar policia.
“Puna jonë është transparente, ne kemi një ekip profesional shumë kompetent. Siç kemi vepruar me vendndodhjen në Rudnicë, kështu që ne po punojmë për këtë, në lidhje me të cilën janë kryer kontrolle në 4-5 vitet e fundit”, tha Odaloviq për portalin Kossev.
Ai nuk ka mundur të konfirmojë njoftimet e Fondit për të Drejtën Humanitare se bëhet fjalë për 15 trupa civilësh shqiptarë nga Rezalla, Zabeli dhe Gllanasella, të cilët janë të zhdukur nga lufta e Kosovës.
“Tani për tani, është ende çështje e personave të paidentifikuar. Vetëm kur të bëhet analiza e ADN-së, identiteti i tyre konfirmohet”, tha Odaloviq. /Gazeta Sinjali/