image Ministrja Haxhiu shpalos një detaj të ri për dëshmitarin kryesor në rastin Dehari

Drejtësi

Ministrja Haxhiu shpalos një detaj të ri për dëshmitarin kryesor në rastin Dehari

news image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se zyrtarët përgjegjës korrektues në ditën e vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit, ishin transferuar në Qendrën Korrektuese në Lipjan në të njëjtën periudhë me Naser Makollin, dëshmitarin kryesor të rastit Dehari.

Sipas gjetjeve të një raporti të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, të cilin ministrja Haxhiu e prezantoi të hënën, Makolli ishte transferuar nga Qendra Korrektuese në Prizren te Qendra Korrektuese në Lipjan më 9 dhjetor të vitit 2016.

Në të njëjtën periudhë, nga burgu i Prizrenit te burgu i Lipjanit ishin transferuar edhe zyrtarët përgjegjës korrektues, ka bërë të ditur sot ministrja e Drejtësisë.

“Është po ashtu e çuditshme dhe e paprecedent se dëshmitari kryesor në rastin Dehari, Naser Makolli, është transferuar më datën 9 dhjetor në Lipjan, ku paraprakisht në qendrën e njëjtë, pra në Lipjan, ishin transferuar edhe oficerët me masën disiplinore të transferimit”, ka thënë Haxhiu.

Makolli, dëshmitari kryesor i rastit Dehari, kishte ndërruar jetë në Qendrën Korrektuese në Lipjan më 3 prill 2017, disa muaj pas vdekjes së Deharit.

“Me fjalë të tjera, në qendrën në Lipjan, ishin transferuar edhe zyrtarët përgjegjës edhe dëshmitari Naser Makolli, i cili kishte ndërruar jetë. A mendoni se kjo ishte një rastësi?”, pyeti ministrja.

/GazetaSinjali/