image Haxhiu i reagon ashpër Nurës: Tërhiqe kandidaturën, nuk përmirësohet gabimi me ankesa

Politikë

Haxhiu i reagon ashpër Nurës: Tërhiqe kandidaturën, nuk përmirësohet gabimi me ankesa

news image

Gazeta Sinjali gjatë ditës së sotme publikoi një video ku dëgjohet deputeti, Bekim Haxhiu, duke kërcënuar qytetarët e Skenderajt, që nuk rreshtohen përkrah Bekim Jasharit në zgjedhjet e 17 tetorit. E për këto deklarata, kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Fadil Nura, ka dorëzuar ankesë ndaj Haxhiut në Polici dhe në PZAP.

Bekim Haxhiu në një prononcim për Sinjalin ka thënë se ndjen keqardhje për situatën që ka krijuar Fadil Nura, pas dorëzimit të ankesës në PZAP. Sipas tij pendimi i Nurës për të kandiduar kundër Bekim Jasharit nuk përmirësohet me ankesë dhe improvizime.

“Ndiej keqardhje për insinuatën qe me ankesë ka krijuara kandidati Fadil Nura. Nëse Fadil Nura është “penduar” sepse e ka kuptuar se Drenica nuk del  kundër Bekim Jasharit djalit të heroit Hamzë Jashari, nipit të komandantit legjendar Adem Jashari për pushtet të askujt, ai nuk duhet të bëjë ankesë me improvizime por e permirëson gabim dhe tërheq kandidaturën”, tha ai për Sinjalin.

Tutje ai ka shtuar se ankesa në KQZ është një siç e quan ai “huqje” e qëllimshme, me një video disa sekondëshe, që sipas tij ka nxjerrë nga konteksti fjalimin e tij.

“Të gjithë kandidatët dhe mbështetësit e tyre bëjnë fushatë, prezantojnë programet e tyre, për të i bindur qytetarët për kënd me votu, ky është qëllimi i fushatës elektorale.  Fshehtësia e votës është e garantuar me Ligj dhe Kushtetutë dhe mbrohet nga komisionerët dhe vëzhguesit e partive politike dhe OJQ monitoruese të procesit zgjedhor. Ankesa në KQZ është huqje e qëllimshme e ankuesit, me video sekondëshe të nxjerrur nga konteksti i fjalimit 15 minutash të prezantimit të programit të Bekim Jasharit për zhvillimin e Skenderajt. Ky është abuzim me të drejtën e ankesës sipas ligjit për zgjedhje neni 33, pika k”, shtoi ai.

Kujtojmë se Fadil Nura për Sinjalin ka konfirmuar se kanë dorëzuar ankesë ndaj Bekim Haxhiut në Polici dhe PZAP.

Se një ankesë e tillë është pranuar nga PZAP është konfirmuar nga kreu i këtij institucioni, Mulë Desku.

“PZAP-i sot pas dite ka pranuar ankesën me pretendimet te cilat ju i keni theksuar ne pyetjen e juaj. Ankesa do te vendoset brenda afatit ligjor”, ka thënë ai për Sinjalin.

Sinjali ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, mirëpo deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga ana e tyre.

/ Gazeta Sinjali/