Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se ky qytet sot po përjeton një prej ditëve më të këqija pasi që nga 39 rastet e reja në nivel vendi, nëntë janë prej aty me koronavirus.
“Shumica janë staf mjekësor nga Spitali Regjional i Prizrenit. Janë staf që ka dhënë shërbim dhe tani përpos atyre dhe familjeve të tyre duhet të shikojmë të gjithë pacientët që i kanë kontrolluar nga ta. Numër i madh njerëzish kanë pasur kontakt me ta”, ka thënë Haskuka, në Klan Kosova.
Ai ka pohuar se mbrëmë ka pasur 34 arrestime në këtë qytet të atyre që nuk i kanë respektuar masat e ballafaqimit me pandeminë.
“Ka pasë njëfarë relaksimi në qytet. Policia po ka probleme në asketin e menaxhimit sepse nuk mjafton të mbulohet gjithë territori, por ata po kryejnë detyrën sipas udhëzimeve dhe jemi të kënaqur. Masat po respektohen ka shumë më pak lëvizje ku mund të takohen, por ka pasur shtim të numrit të veturave kohëve të fundit”, tha ai./ Gazeta Sinjali/