image Haradinaj kërkon të mos marrë pjesë në seancën e nesërme paragjyqësore

Drejtësi

Haradinaj kërkon të mos marrë pjesë në seancën e nesërme paragjyqësore

news image

Përmes një shkrese drejtuar gjykatësit paraprak, Nicolas Guillou, mbrojtja e nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, ka kërkuar që konferenca e dytë në Gjykatën Speciale mbi ecurinë e çështjes të zhvillohet pa prezencën e këtij të fundit.

Në këtë shkresë thuhet se në emër të Haradinaj bëhet kërkesë që seanca të shqyrtohet në mungesë të pandehurit dhe prezencë të avokatit të tij.

Tutje, thuhet se bashkangjitur në këtë aplikacion është shtojca konfidenciale, e cila përbëhet nga konfirmimi i nënshkruar i Haradinaj se nuk do të marrë pjesë dhe se çështja duhet të vazhdojë në mungesë të tij.

Mbrojtja thotë se konfirmojnë se Haradinaj ka marrë këshillat e duhura nga mbrojtësit dhe se çështja është diskutuar në konferencë me të, njofton betimi për drejtësi.

Nesër  pritet të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, e cila është caktuar për orën 11:00, në rastin ku Haradinaj po akuzohet së bashku me Hysni Gucatin.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /Gazeta Sinjali/