Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Këtë vendim, Haradinaj tha se e ka marrë për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të brendshme partiake dhe se deri në Kuvendin e ri të AAK-së do të jetë vetëm ushtrues detyre i kryetarit të partisë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Jam i dorëhequr. Do të thotë prej kuvendit të fundit të punës që e mbajtëm jam i dorëhequr. Kryej vetëm funksionet në dorëheqje që i kemi deri në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj për Ekonomia Online.
Në zgjedhjet e AAK-së, Haradinaj tha se do t’i ketë 100 kundërkandidatë për të parin e partisë.
Ai shtoi se gjatë këtyre zgjedhjeve do të aplikohet parimi një delegat një votë, me çka hapet kapitulli i zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet e AAK-së.
Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 19 korrik të këtij viti. /Gazeta Sinjali/