Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka vendosur për shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në këtë ndërmarrje.
Sipas komunikatës së dërguar për media, ky njoftim u mor sot në mbledhjen e parë të rregullt të këtij bordi.
“…Bazuar në ligjin NP-ve, ligjin e punës dhe rregulloret e brendshme të korporatës, Bordi i përkohshëm ka marr vendim që të fillojnë procedurat për hapjen e konkursit për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Për më tepër, Bordi i përkohshëm thekson se qëllimi i konkursit është të ofrojë mundësinë e konkurrencës për të gjithë kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret profesionale të kërkuara në konkurs”, thuhet në njoftim.
Më tej, thuhet në kumtesë, Bordi i përkohshëm është i përkushtuar për qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike.
“Në të njëjtën kohë, Bordi i përkohshëm ka shprehur gatishmërinë që të sigurojë një proces shumë transparent në të cilin do të zgjidhet vetëm kandidati/ja i/e cili dëshmon aftësitë profesionale të kërkuara sipas kritereve të paraqitura në konkurs”, thuhet në njoftim.
Në këtë drejtim Bordi i përkohshëm i KEK sh.a. ka bërë të ditur se për periudhën tranzitore në këtë pozitë kishin shqyrtuar disa kandidat nga menaxhmenti i lartë i KEK sh.a dhe sipas kritereve përzgjedhëse, ishte emëruar Luigj Imeri. Ndërsa tani përmes procedurës së hapur dhe konkurruese u ofron të gjithëve mundësinë për të aplikuar.
“Më këtë rast, Bordi i përkohshëm inkurajojmë të gjithë punonjësit e korporatës si dhe kandidatët e tjerë të cilët mendojnë se i plotësojnë kushtet e kualifikimit dhe kriteret e tjera te përcaktuara me konkurs të aplikojnë për pozitën e Kryeshefit Ekzekutivë të KEK”, përfundon njoftimi.
Kujtojmë që bordi i përkohshëm i KEK-ut shkarkoi nga pozita e kryeshefi ekzekutiv të ndërmarrjes, kushëririn e presidentit, Hashim Thaçi, Njazi Thaçin, vetëm një ditë pasi ky bord u emëra./Gazeta Sinjali/