Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i sjellur në Kuvend nga Qeveria, nuk është i duhuri, andaj si të tillë thotë se kjo parti nuk do e përkrahë.
“Jemi në një situatë kur flasim për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk dëshirojmë të bëjmë pengesa në këtë drejtim, apo të themi që ligji propozuar nga PDK është më i mirë. Ne po kërkojmë që eja të ulemi dhe ta bëjmë më të mirën për vendin. Sepse ligji i ardhur nga qeveria nuk është adekuat, nuk ka substancë dhe nuk i përkrahë bizneset dhe kategoritë që kanë nevojë. Bizneset duhet të përkrahen me grante”, tha Hamza.
“Nuk mund ta përkrahim kur nuk i adreson nevojat e ekonomisë, është ligj i varfër”, shtoi ai.
Ai tha se me qëllim që t’i dalin në përkrahje ekonomisë se vendit kanë dhënë iniciativa që sipas tij kanë qenë të duhura për adresimin e nevojave të popullit.
Ndërsa, për Ligjin për Vlerat e Luftës, Hamza tha se i njëjti nuk ka për qëllim të cenojë asnjë liri.
“Jemi të hapur të diskutohet edhe me shoqërinë civile dhe ambasadat që mund të kontribuojnë në këtë çështje, edhe me grupet parlamentare. Ligji nuk ka për qëllim të cenojë asnjë liri”, tha Hamza./Gazeta Sinjali/