image Hajni që vodhi në shtëpinë e tij dhe denoncoi rrejshëm u ikë policëve para syve - Shpallet në kërkim

Siguri

Hajni që vodhi në shtëpinë e tij dhe denoncoi rrejshëm u ikë policëve para syve – Shpallet në kërkim

news image

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një rast jo fort të zakontë që ka ndodhur sot në stacionin policor në Klinë. Për një vjedhje të rëndë që u denoncua dje në Polici u zbulua hajni. Personi që vodhi paratë e gatshme dhe stolitë e arit ishte pronari i shtëpisë. Ai e pranoi se vodhi në shtëpinë e tij dhe vendosi të bashkëpunojë me Policinë. Por nuk shkoi siç u planifikua, pasi i njëjti arriti t’u ikë zyrtarëve policorë para syve.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë dhënë detaje për rastin dhe të dyshuarin me të cilin u ballafaqua sot Policia.

I dyshuari që denoncoi dje rastin e vjedhjes në shtëpinë e tij në fshatin Sferkë të Klinës u intervistua sot në Polici. Gjatë intervistimit nga Njësia e Hetimeve, i njëjtië e pranoi se ka vjedhur stolitë e arit dhe paratë, por premtoi se të njëjtat do t’i kthente në stacion policor.

Ai u “dorëzua” para hetuesve policorë dhe vendosi të bashkëpunojë me të njëjtit. Por nuk shkoi siç u morën vesh.

Sipas burimeve të Sinjalit, në momentin që i dyshuari vendosi të bashkëpunojë me Policinë, nga i njëjti u kërkua që të shkojë për t’i marrë gjësendet dhe paratë që i kishte vjedhur.

Nën përcjelljen e Njësisë së Hetimeve, ai u nis me veturën e tij “Audi A8” për në ‘vendin’ ku kishte fshehur paratë e stolitë e arit. Por ai vend nuk u zbulua pasi i dyshuari arriti të ikë. Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se i njëjti iku para syve të policëve dhe u largua në drejtim të Gjakovës.

Stacioni Policor në Klinë e ka shpallur të dyshuarin në kërkim dhe ka kërkuar ndihmë nga stacionet tjera policore, që nëse i njëjti ndalohet në ndonjë qytet tjetër, të kapet dhe të njoftohet baza e Policisë në Klinë.

/GazetaSinjali/