image Ky është hajni që po bën kërdi në disa markete në Gjakovë – arrestohet sot sërish pasi u kap në flagrancë

Siguri

Ky është hajni që po bën kërdi në disa markete në Gjakovë – arrestohet sot sërish pasi u kap në flagrancë

news image

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset. Marketet në Kosovë janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, duke kapur qoftë para apo edhe gjësende ushqimore.

Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në marketin “My market” në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë, ku një person ka arritur të vjedh disa produkte ushqimore (proshutë) që kapin vlerën e dhjetëra eurove.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Mehmet Idrizin, 47-vjeçar, i cili nuk e ka sefte këtë rast. Ai u kap sot në flagrancë, por dyshohet se vepra të tilla ka kryer edhe më parë pasi është emër i njohur për Policinë.

I njëjti u arrestua sot pasi menaxherja e marketit njoftoi Policinë dhe kërkoi ndihmën e tyre para se i dyshuari të ikte. Njësiti policor që intervenoi në këtë rast e arrestoi të dyshuarin dhe më pas e shoqëroi në stacion policor.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh për veprën penale “Vjedhje”.

Ndryshe, edhe ndaj Idrizit, si në shumë raste të tjera të ngjashme autoritetet janë treguar dorëlirë dhe asnjëherë nuk kanë urdhëruar masë sigurie.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/