Pronarë të restoranteve dhe hoteleve vazhdimisht janë duke u ankuar se pandemia ka ndikuar shumë negativisht në biznesin e tyre, por një restorant në fshatin Burrnik të Ferizajt ka pësuar edhe më keq dje, pasi që ka qenë cak i hajnave me ç’rast ka pësuar humbje shumë të mëdha.
Gazeta Sinjali nga burime të afërta me pronarin e këtij restoranti dhe moteli mëson se dje persona të panjohur kanë depërtuar brenda në restoran dhe kanë arritur të marrin gjëra në vlerë 21 mijë eurove.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Ferizaj, Agim Gashi i cili ka thënë se ky restorant është jashtë funksionit tash e disa vite.
“Po, ngjarja ka ndodhur dje, rastin në polici e ka raportuar personi që kujdeset për këtë restoran. Ky restoran është jashtë funksionit tash e disa vite. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”, ka thënë Gashi për Gazetën Sinjali.
Nga ky restorant janë marrë kuzhina me paisje në vlerë të 15 mijë eurove, radiator në vlerë të dy mijë eurove, pajisje sanitare të kuzhinës në vlerë të 1 mijë e 500 eurove, dyer dhe një rrethojë e hekurt në vlerë të një mijë eurove, disa frigoriferë në vlerë të një mijë e 500 eurove si dhe janë dëmtuar dhoma të këtij hoteli në vlerë të 500 eurove, raporton Gazeta Sinjali.