image Hajdari tregon nëse masat e qeverisë e kanë qëllimin që t’i mbyllin bizneset

Kosovë

Politikë/ Hajdari tregon nëse masat e qeverisë e kanë qëllimin që t’i mbyllin bizneset

news image

Ministrja e Tregtisë, Ekonomisë, Punësimit, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, tha se vendimi i datës 13 mars i Qeverisë u keqkuptua nga bizneset por edhe nga komunat dhe inspektorati i punës.

“Vendimi i Qeverisë nuk kishte qëllim t’i mbyllë bizneset, por që të kemi kujdes për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Me këtë vendim është cekur në mënyrë të gjerë që sa më shumë që kemi mundësi të koordinojmë punët nga shtëpia, por është dashur që të sillen më shumë instruksione për interpretimin e kësaj mase”, ka thënë ajo.

Hajdari tha se fatkeqësisht kanë ndodhur keqkuptime me këto masa dhe se nuk janë kuptuar urdhëresat e as urdhri i Qeverisë.

“Ka qenë sikur teoria e telefonit të prishur kur informata kalon në shumë persona dhe pastaj ndryshohet. Vendimi është keqkuptuar edhe nga komunat, edhe inspektorati nuk ka qenë i përgatitur dhe na vjen shumë keq që ka ndodhë ajo”, tha Hajdari.

E pyetur se a mendon se sonte mund të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, Hajdari tha se nuk beson që një gjë e tillë do të ndodhë.

Dardan Shala, përfaqësues i bizneseve vendore, tha se në vend ka sasi të mjaftueshme të miellit por se kërkesa është rritur për 2000 për qind.

“Nëse Qeveria lëshon instruksione të caktuara për biznese se cila duhet të hapet e cila të mbyllet, kisha insistu që Qeveria të lëshojë edhe akte sqaruese. Për shembull, nëse Qeveria ka lëshuar instruksione që nuk duhet të mblidhen njerëzit në hapësira të vogla. Pra, duhet të japë sqarime”, tha Shala.

Sipas tij, në treg ka miell mjaftueshëm, por tha se kërkesa është rritur dhe kjo ka shkaktuar që të duket si krizë.

“Është rritur kërkesa deri në 2000 për qind, ne e kemi dyfishuar kapacitetin”, tha ai.

E kryetari e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë disa masa esenciale për mbrojtjen e bizneseve në kohën kur po përballemi me epideminë e koronavirusit.

“Për biznese janë disa çështje esenciale, e para janë raportimet financiare, e dyta është çështja e kredive dhe e treta pakoja stimuluese financiare. Pakoja stimuluese nënkupton që Qeveria duhet të paguajë shpenzimet operative të bizneseve dhe është me rëndësi të sigurohet që të bëhet. Kjo është praktikë edhe e vendeve të tjera. Një pjesë të shpenzimeve ta marrë përsipër Qeveria, për shembull te pagat e punëtorëve, dhe pjesa e dytë e rëndësishme e pakos është emetimi i mjeteve në tregun financiar përmes fondeve. Kjo bën që të lehtësohet kredidhënia”, u shpreh Rukiqi.

Sipas tij, projeksioni bazë është që rreth 100 mijë persona janë pasivë në këtë kohë, por theksoi se nuk ka të dhëna të sakta.

Ministrja Hajdari tha se i kupton ankesat e bizneseve, por thotë se janë keqkuptuar vendimet dhe urdhëresat e Qeverisë Kurti, por edhe vendimi i Ministrisë së Tregtisë.

“Qëllimi im si ministre është të ndihmoj zhvillimin e industrisë në Kosovës. Zbatimi i vendimeve është keqkuptuar nga Policia e Kosovës që ta ndihmojë inspektoratin e tregut, jo vetëm të padisë me gjoba. Është shkaktuar konfuzion, por nganjëherë varet se si don me e marr informatën. Unë si ministre e Ekonomisë nuk e kam qëllimin të mbyllë biznese pa nevojë”, tha ajo.

“Ato dëme shkaktohen për shkak të gjendjes shëndetësore emergjente, kjo gjendje nuk është faji i qeverisë”, u shpreh ajo. /Gazeta Sinjali/