Departamenti për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke zhvilluar hetime për 64 raste të dhunës seksuale.
Drita Hajdari, prokurore dhe udhëheqëse e këtij departamenti, thotë se një numër i kryesve të krimit është identifikuar nga viktimat dhe sipas saj me urdhrin e gjykatës është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar.
Ajo tha se pas lëshimit të letërshtimit ndërkombëtar pritet ndalimi i tyre nga INTERPOL-i (Organizata Ndërkombëtare e Policisë).
Sipas saj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka pranuar kompetenca për krimet të luftës në fund të vitit 2018, kur kemi trashëguar një numër tejet të madh të lëndëve nga EULEX- i. Në mesin e atyre lëndëve ka ekzistuar një numër i vogël i paraqitjeve për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, mirëpo në këto raste nuk është punuar asgjë.
“Me pranimin e kompetencave, unë personalisht si udhëheqëse e Departamentit për krime lufte, kam filluar me një fushatë për vetëdijesimin e viktimave të dhunës seksuale. I kam takuar edhe personalisht u kam treguar edhe procedurat, pritjet të cilat ato mund t’i kenë nga Prokuroria për t’i inkurajuar për t’i paraqitur këto raste, sepse ekziston një hezitim i madh për paraqitjen e këtyre rasteve që është edhe kuptueshme, duke pasur parasysh natyrën e këtyre veprave penale, rrethanat në të cilat janë kryer, sidomos brutaliteti me të cilin janë kryer këto vepra”.
Prokuroja Hajdari deklaron se janë 64 raste aktive, mirëpo sipas saj ende nuk kanë arritur të identifikojnë në secilin rast kryesin e veprave penale.
“Për momentin kemi 64 raste të cilat janë aktive, janë në procedim. Mirëpo, prej këtyre 64 rasteve, nuk do të thotë që kemi arritur ta identifikojmë në secilin rast kryesin e këtyre veprave penale. Një numër i kryesve është identifikuar nga viktima, me urdhrin e gjykatës është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar dhe jemi në pritje. Do të thotë, këto letërshtime ndërkombëtare i ekzekuton Interpoli dhe presim që kudo që gjinden këta persona kryerës të veprave penale që të arrestohen dhe ekstradohen në Kosovë”.
Ajo shtoi se si Prokurori, është e rëndësishme të dokumentohet krimi, pavarësisht nga ajo se a do të arrijmë ta zbulojmë apo identifikojmë kryesin. Mungesa e [identifikimit të] kryesit nuk do të thotë se krimi nuk ka ndodhur, kështu që duke i proceduar këto raste, ne në njëfarë mënyre jemi duke grumbulluar edhe provat edhe statistikat për këtë lloj të veprave penale të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Shumica e këtyre 64 rasteve janë raste të raportuara pasi që i kemi pranuar kompetencat, do të thotë kah fundi i vitit 2018. Mosraportimi deri diku është i kuptueshëm duke pasur parasysh që më herët misioni i UNMIK-ut, tani i EULEX-it i kanë intervistuar viktimat përmes interpretit dhe ka qenë jashtëzakonisht e mundimshme edhe e rrezikshme për viktimën të japë dëshmi përmes interpretit, i cili ka mundur të jetë edhe fqinji i saj/tij, apo familjari apo dikush i njohur. Dhe, gjithmonë është kanosur rreziku të zbulohet identitetit i viktimës. Me kontaktin e drejtpërdrejtë me policin dhe prokurorin vendor, gjërat shkojnë shumë më lehtë, flasim shqip, kuptohemi më lehtë dhe procedura shkon ndryshe”.
Sipas saj, shumë kohë ka humbur. Ajo që është e dhimbshme në një farë mënyrë është fakti që menjëherë pas përfundimit të luftërave në ish-republikat e Jugosllavisë, shteteve të përfshira në luftëra u është lejuar krijimi i gjykatave speciale për krime të luftës e një gjë e tillë nuk i është lejuar Kosovës. UNMIK-u ka vendosur fillimisht t’i procedojë këto raste, pastaj EULEX-i. Kaluan pothuajse 20 vjet, pas përfundimit të këtyre misioneve në Kosovë, kur na janë dorëzuar këto raste. Kemi rreth 900 raste për krime të luftës dhe rreth 2000 dosje për të zhdukurit dhe me të vërtetë kemi qenë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë.
“Jemi angazhuar dhe kemi vendosur që këto raste të procedohen në mënyrë të duhur për të grumbulluar sa më shumë prova derisa nuk bëhet vonë. Mirëpo, ajo çka neve na mban, është fakti që krimi është krim dhe se ai do të ndëshkohet herët apo vonë. Krimet e luftës nuk parashkruhen. Do të thotë derisa kryesi është i gjallë edhe viktima sa është e gjallë, ekziston shpresa që këto raste të procedohen dhe kryesit të sillen para drejtësisë”.
Prokurorja Hajdari për REL-in ka thënë se sfida më e madhe është hezitimi i viktimave për të folur për këto raste, për paraqitjen e këtyre rasteve në polici ose në prokurori. Frika e tyre që mos po zbulohet identiteti i tyre. Ato kanë përjetuar një tmerr, sepse dhunimi është një vepër tejet e rëndë në kohën e paqes.
“Në kohën e luftës këto vepra kryhen në rrethana tejet të vrazhda të përcjella me poshtërime dhe me shumë dhimbje fizike, të cilat pastaj ndikojnë në dhimbjet psikike të viktimës. Unë them se Prokuroria do ta kryejë pjesën e vet të punës, ndjekjen penale të kryerësve të këtyre veprave penale, hetimin, zbulimin, regjistrimin e këtyre rasteve. Mirëpo, dhuna seksuale në Kosovë është çështje e secilit qytetar të Kosovës. Secili qytetar duhet të vetëdijesohet dhe ta kuptojë që viktimat e dhunës seksuale nuk kanë faj për atë që u ka ndodhur atyre dhe se këto viktima janë viktima të luftës dhe ashtu duhet të trajtohen”.