Dy bashkëshortë kanë përfunduar sot në stacionin policor në Pejë, pasi dyshohen se janë përleshur mes vete me grushte, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit, në rrugën “Lekë Dukagjini”.
Rasti është raportuar menjëherë në Polici, ku në vendin e ngjarjes më pas ka dalë një patrullë policore dhe ka arrestuar dy të dyshuarit.
Të njëjtit, sipas burimeve të Sinjalit, janë dërguar në stacion policor dhe pas intervistimit e kanë pranuar se kanë sulmuar njëri-tjetrin me grushte.
Fillimisht, gruaja e kishte goditur burrin e saj në fytyrë, me ç’rast kishte pësuar edhe lëndime. Më pas, edhe burri ka rrahur gruan me shuplaka në fytyrë, derisa ka ndërhyrë nëna e tij.
Si pasojë e goditjeve, burri dhe gruaja janë bërë për spital, ku kanë marrë edhe trajtim mjekësor.
Në lidhje me rastin, Njësia e Hetimeve ka konsultuar prokurorin, i cili ka udhëzuar që rasti të hetohet si “dhunë në familje” dhe “lëndim i lehtë trupor”, derisa gruaja të dërgohet te familja e saj.