image Grupet kriminale sërish trazojnë policinë kufitare në Mitrovicë, dyshohet për hedhje të mjeteve piroteknike në drejtim të tyre (FOTO)

Siguri

Grupet kriminale sërish trazojnë policinë kufitare në Mitrovicë, dyshohet për hedhje të mjeteve piroteknike në drejtim të tyre (FOTO)

news image

Mbrëmë rreth orës 03:00 në fshatin Mure të Leposaviqit janë dëgjuar zhurma të mëdha në formë të shpërthimit afër Policisë kufitare në Mitrovicë.

Dy shpërthime të tilla kanë ndodhur edhe në fshatin Sharpej të Jarinjës. Policia ka njoftuar se atje dyshohet se vetura e Policisë është sulmuar me mjete piroteknike.

“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në komunikatë.

Policia ka bërë të ditur se nga ky sulm nuk ka persona të lënduar e as dëme materiale.

Kujtojmë që brenda tri ditëve Policia e Kosovës ka qenë katër herë cak i sulmeve, e për sulmin e fundit autoritetet në Kosovë e drejtuan gishtin kah Serbia.

“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kanë kryer disa sulme kundër Policisë së Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë”, thuhet në reagimin e Presidencës.

/GazetaSinjali/