image Greqi/ Në disa vende temperaturat arrijnë deri në 45 gradë Celsius

Rajon

Greqi/ Në disa vende temperaturat arrijnë deri në 45 gradë Celsius

news image

Greqia sot është goditur nga vala më e keqe e nxehtësisë që nga viti 1987, ka thënë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ndërsa sot meteorologët bënë të ditur se në disa zona do të ishte deri në 45 gradë Celsius.

Vala e të nxehtit filloi të enjten, dhe sipas meteorologëve kulmi i temperaturave parashikohet sot dhe nesër.

Në korrik të vitit 1987, Greqia u godit nga një valë e ngjashme nxehtësie, e cila goditi më së shumti qytetin e Athinës, ku si pasojë e kësaj vdiqën 1.000 njerëz, kryesisht për shkak të mungesës së ajrit të kondicionuar dhe ndotjes së ajrit, raporton euronews.

“Ne po përballemi me valën më të keqe të nxehtësisë që nga viti 1987 e cila shkaktoi një ngarkesë në rrjetin e energjisë elektrike”, tha Mitsotakis. Kryeministri grek gjithashtu tha se autoritetet po bënin gjithçka në fuqinë e tyre dhe u bëri thirrje qytetarëve të “kufizojnë konsumin e energjisë elektrike”.

Meteorologët parashikojnë temperatura prej 40 deri në 42 gradë në ishuj për sot dhe nesër, dhe 41 deri në 43 gradë Celsius në kontinent. Në Peloponez dhe Thesali në veri të Greqisë, do të jetë nga 44 në 45 gradë Celsius.

Autoritetet greke kanë publikuar për këtë arsye dy qarkore të hartuara nga ministritë kompetente që parashikojnë mosardhjen në punë për disa kategori të caktuara të nëpunësve të administratës civile që i përkasin grupeve me disa sëmundje kronike të rënda si dhe një rekomandim për ndalimin e punës kur kjo konsiderohet e nevojshme midis orës 12:00-16:00 për punonjësit e sektorit privat në këto ditë të nxehta. /GazetaSinjali/