Shtatzënat dhe personat mbi 60 vjeç do të lirohen nga puna deri më 27 korrik për shkak të valës së të nxehtit, ka vendosur Qeveria e Maqedonisë së Veriut, njoftoi të shtunën agjencia e lajmeve MIA.
“Sipas informacioneve të meteorologëve presim sërish temperatura të larta pas datës 24 korrik, ndaj qeveria ka shtyrë deri më 27 korrik vendimin që i referohej përjashtimit nga puna të personave të caktuar”, njofton qeveria.
Propozimi për lirim nga obligimet e punës deri më 27 korrik vlen për grupet vulnerabël të qytetarëve, përfshirë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, njofton MPB.
Gjithashtu rekomandohet që kopshtet të mos i nxjerrin fëmijët jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00 dhe që punëdhënësit të respektojnë detyrimet ligjore në lidhje me disa procese teknologjike dhe prodhuese që paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve.
Në Maqedoninë e Veriut sot priten temperatura prej 35 deri në 41 gradë Celsius.