Gratë japoneze e kanë nisur një fushatë në rrjetet sociale për të kërkuar lejimin e të drejtës për të bartur syze në vendin e punës pas raportimeve se punëdhënësit ua kanë ndaluar një gjë të tillë.
Në protestën më të re kundër rregullave të ashpra për dukjen e grave, fjalët “ndalohen syzet” ishin shumë të përdorura në Twitter si reagim ndaj raportimit të një televizioni japonez, ku bizneset ua ndalonin grave bartjen e syzeve gjatë orarit të punës.
“Këto rregulla janë jashtë mode”, shkroi një përdoruese e rrjetit Twitter, ndërsa një tjetër tha se arsyen pse ndalohen syzet për gratë janë idiotësi.
Një grua që punon në një restorant tregoi se i është kërkuar disa here që të mos përdor syze, sepse duket e pasjellshme dhe se ato nuk i shkojnë me veshjen tradicionale.
“Nëse rregullat ua ndalojnë vetëm grave që të mos përdorin syze, ky është diskriminim kundër grave”, tha Kanae Doi, drejtoreshë e organizatës “Human Rights Watch” për Japoni.
Më herët gjatë këtij viti, japonezët bënë thirrje kundër ndalimit të takave të larta. Më shumë se 21 mijë njerëz e kishin nënshkruar një peticion për këtë çështje.
Ndryshe, Japonia renditet në vendin e 110 nga 149 shtete për barazi gjinore në vendin e punës, shumë më poshtë se vendet tjera të zhvilluara, shkruan “”The Guardian”./Gazeta Sinjali/