Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘UÇK’ në Prishtinë, ku disa persona ende të paidentifikuar dyshohet se nën kërcënimin e thikës u dolën në pritë dy personave që po ecnin.
Sinjali mëson se të dyshuarit kanë marrë një çantë personale të njërit prej të dyshuarve dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
Si pasojë e konfrontimit me të dyshuarit, njëri prej viktimave ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen të dyshuarit.