image GLPS: 283 raste të korrupsionit po presin verdiktin final në Kosovë

Drejtësi

GLPS: 283 raste të korrupsionit po presin verdiktin final në Kosovë

news image

Gjatë periudhës prill-shtator 2021, numri më i madh i rasteve të zgjidhura nëpër gjykata në nivel vendi i takon veprave penale të natyrës korruptive me gjithsej 57 raste të zgjidhura, ndërkaq  rezultatet më të vogla për veprat penale i takojnë krimit të organizuar dhe shpëlarjen e parave.

Kështu u tha në raportin “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë për periudhën Prill-Shtator 2021”, të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Donjeta Pllana nga GLPS u shpreh se gjatë periudhës prill-shtator 2021, numri më i madh i rasteve të zgjidhura nëpër gjykatat në nivel vendi i takon veprave penale të natyrës korruptive me gjithsej 57 raste të zgjidhura.

E përkundër zgjidhjes së këtyre lëndëve, sipas GLPS-së vazhdon të jetë shqetësues numri i madh i rasteve të korrupsionit që presin verdiktin final.

“Me gjithsej 57 raste të zgjidhura,  ndërkaq që rezultatet janë dukshëm më të vogla kur flasim për krimin e organizuar dhe shpëlarjen e parave…..Një tjetër çështje e cila duhet mirëpritur nga ana e gjykatave në nivel vendi është edhe detyrimi për kompensimin e dëmit palëve të dëmtuara në procedurë penale, shumë kjo e cila për këtë periudhë të raportimit arrin rreth 55 mijë euro. Ndërkaq, që edhe më tutje si shqetësuese mbetet numri i madh i rasteve të korrupsionit që presin verdikt final në gjykatat themelore në nivel vendi, numër ky i cili shkon në 283 raste” tha Pllana.

Pllana po ashtu u shpreh se Gjykata në Kosovë po tregon joefikasitet në trajtimin e lëndëve të krimit të organizuar. Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë mbeten të vetmet në vend që trajtojnë këto raste.

“’Drejtësia Sot’ si shqetësuese joefikasitetin e gjykatave në trajtimin e lëndëve të krimit të organizuar. Sipas të dhënave të paraqitura në raport rezulton se Gjykata Themelore në Prishtinë, ajo e Pejës dhe e Mitrovicës mbeten edhe më tutje gjykatat e vetme në vend të cilat trajtojnë lëndë të krimit të organizuar. Për Drejtësia Sot është mjaft shqetësuese fakti se Gjykata Themelore në Pejë dhe ajo në Mitrovicë ende nuk kanë arritur të zgjidhin asnjë lëndë të kësaj natyre të cilat mbesin aktive pranë këtyre gjykatave, respektivisht gjykata e Mitrovicës me 16 sosh ndërkaq ajo e Pejës me 2 raste. Dy aktgjykimet e vetme të marra nga Gjykata Themelore në Prishtinë në kuadër të krimit të organizuar u shqiptuan për vepra penale tjera”, theksoi ajo.

Sipas raportit të GLPS-së, edhe rastet e shpëlarjes së parave karakterizohen me  një efikasitet të  dobët në drejtim të zgjidhjes së këtyre rasteve. Raporti thotë se me këtë lloj të veprave penale edhe  më tutje një rast i tillë është aktiv në Gjykatës Themelore në Prizren ndërkaq që edhe 8 raste presin trajtim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton KP.

Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS-së thotë se është shënuar rritje e  shqiptimit të dënimeve plotësuese nga ana e gjykatave në nivel vendi për rastet e korrupsionit.

“Gjatë kësaj periudhe është shënuar rritja e shqiptimit të dënimeve plotësuese nga ana e gjykatave në nivel vendi, për veprat penale të natyrës korruptive, për të cilën edhe është rekomanduar në vazhdimësi. Kurse për ‘Drejtësia sot’ është mjaftë shqetësues fakti i mospërputhjes së të dhënave në mes të gjykatave dhe prokurorive në nivel vendi”, theksoi ajo.

Sipas raportit, KGJK-në e karakterizoi zgjedhja e Kryesuesit të ri të këtij institucioni, zgjedhja e anëtarëve të KGJK nga gjyqësori, zgjedhja e kryetarëve të gjykatave themelore dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, dhe një menaxhim mjaft i mirë me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19.

Ndërsa në periudhën monitoruese KPK-në e karakterizoi themelimi i grupeve punuese për hartimin e akteve nënligjore, Raportimi i Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, rishpallja e konkursit për prokurorë të shtetit në kuadër të prokurorive themelore në Kosovë, emërimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe transferimi dhe avancimi i prokurorëve të shtetit

Sipas raportit “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë për periudhën Prill-Shtator 2021”, shkeljet që mbizotërojnë  tutje janë ato që  kanë të bëjnë më moscaktimin në kohë të seancës fillestare dhe moscaktimin në kohë të seancave të shqyrtimit gjyqësor, shkelje me rastin e pranimit të fajësisë, shkelje të ligjit special, mosarsyetimi i vendimeve nga ana e gjykatave, tejkalimi i afatit për shpallje të aktgjykimit, shqiptimi i gabueshëm i dënimit plotësues, shkelje procedurale të prokurorisë, mosdorëzimi i materiale të lëndës, të cilat shkelje në mënyrë të detajuar janë paraqitur në raportin e monitorimit./GazetaSinjali/