image Gjykata në Mitrovicë merr vendim ndaj dy drejtorëve të “Trepçës” që akuzoheshin se dëmtuan ndërmarrjen me rreth pesë milionë euro - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107629

Të shëruar

105200

Të vdekur

2250

Gjykata në Mitrovicë merr vendim ndaj dy drejtorëve të “Trepçës” që akuzoheshin se dëmtuan ndërmarrjen me rreth pesë milionë euro

news image

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj drejtorit gjeneral të ndërmarrjes “Trepça”, në Veri, Jovan Dimkiq, si dhe drejtorit të shitjes, Dejan Kristiq, të cilët akuzohen se i kanë shkaktuar dëm kësaj ndërmarrje në vlerë prej rreth pesë milionë euro.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Nikolla Petronijeviq, nuk ka prova që vërtetojnë së të pandehurit e kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

“Gjykata ka vlerësuar se nuk ka prova, prandaj edhe ka marrë aktgjykim lirues”, ka thënë gjykatësi Petronijeviq.

I njëjti bëri të ditur se shpenzimet procedurale për këtë rast bien në barrë të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Krsto Miliq dhe Radashin Pavloviq për veprën penale “shmangie nga tatimi”, mirëpo këta ishin përfshi në amnisti, me ç`rast gjykimi është duke vazhduar vetëm ndaj të akuzuarve Dimkiq dhe Krstiq.

Ish-Prokuroria Publike e Qarkut, me 26 maj 2011, kishte ngritur aktakuzë ndaj Jovan Dimkiq, Dejan Krstiq, Krsto Miliq dhe  Radashin Pavloviq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Jovan Dimkiq, gjatë periudhës kohore prej vitit 2003, e deri më 2008, në cilësinë e drejtorit gjeneral të NSH “Trepça”, në Leposaviq, dhe i pandehuri tjetër, Dejan Krstiq, në cilësinë e drejtorit të shitjes të NSH “Trepça”, kishin shpërdor detyrën zyrtare me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobësi pasurore për vete, duke i shkaktuar dëme materiale, për organizatën në atë mënyrë që ka shitur një sasi të madhe pluhur i plumbit.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kësaj periudhe kohore, nga dy të akuzuarit janë shitur sasi të shumta, për kompaninë “Metal Heminko” nga Serbia dhe një kompani nga Anglia, duke i shkaktuar dëme dhe humbje ndërmarrjes, në vlerë prej 7.520.352,00 dollarë, apo diku rreth 5.000.000,00 euro.

Me këtë, Dimkiq dhe Krstiq, akuzohen se kanë kryer veprat penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit zyrtar”, nga neni 339, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPK-së, si dhe  veprën penale “lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Sipas dispozitivit të tretë, Dimkiq dhe Krstiq, në periudhën kohore 2001-2002, kanë shpërdorur detyrën zyrtare, në atë mënyrë që kanë lidhur kontratë me ndërmarrjen “Dynamik Trade” dhe “Gradina”, që të dyja nga Zveçani për furnizim me derivate të naftës në vlerë prej 431.890.00 DM, apo rreth 215,000,00 euro, pa i përfillur procedurat e tenderimit.

Me këtë, Dimkiq dhe Krstiq akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo i autorizimit”, nga neni 339, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPK-së, si dhe veprën penale “lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit tjetër, Dimkiq më 5 maj 2005, kishte shitur hapësirat zyrtare prej 229.29 m2 në vlerë 2.200.00 m2, zyra këto që gjenden në rrugën “Knez Mihajllova”, në Beograd, duke u nisur nga fakti se ndërmarrja “Trepça” është ndërmarrje shoqërore e AKP-së, të cilës  i takonte e drejta e shitjes.

Me këtë, Dimkiq, akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit”, nga neni 339, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Sipas aktakuzës, të pandehurit tjerë Krsto Miliq, në cilësinë e drejtorit të kompanisë “Dynamik Trade”, nga Zveçani dhe Radashin Pavlloviq, në cilësinë e drejtorit  të kompanisë “Gradina”, i ishin shmangur tatimeve në kontratat e lidhura me ndërmarrjen shoqërore “Trepça”.

Për këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”, nga neni 249, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPK-së./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: