image Gjykata merr vendim për të kërkuarin nga Policia e Shqipërisë që hyri ilegalisht në Kosovë

Drejtësi

Gjykata merr vendim për të kërkuarin nga Policia e Shqipërisë që hyri ilegalisht në Kosovë

news image

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit – në raport me procedurën e ekstradimit, kundër të pandehurit I.T., nga Republika e Shqipërisë, shkruan Gazeta Sinjali.

I.T., i cili u arrestua mëngjesin e djeshëm rreth orës 10:30 në fshatin Vërmicë të Prizrenit, pasi që, sipas raportit 24-orësh të policisë, ishte futur ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë, dyshohet se ka kryer veprat penale; “vrasje me paramendim”, “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese“.

Sipas njoftimit të gjykatës së shkallës së parë, të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 ditësh, e cila do t’i llogaritet nga 6 nëntori 2020 deri më 14 janar 2021.

Sipas gjyqtarit të procedurës paraprake, I.T. nuk e gëzon statusin e azilit politik në Kosovë dhe nuk është shtetas i huaj që gëzon imunitet nga ndjekja penale.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, i cili dyshim rezulton nga provat të cilat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës, andaj janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 21 dhe 22 të Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Sipas vlerësimit të gjykatës, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse ekziston rreziku i ikjes apo shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i pandehuri I.T., është i paarritshëm për organet e ndjekjes në Republikën e Shqipërisë dhe ndaj tij është lëshuar urdhërarrest.

Prandaj, kjo gjykatë vlerëson se nëse i pandehuri është në liri do të vështirësojë rrjedhën e procedurës së ekstradimit, pasi që i njëjti nuk ka vendbanim dhe as vendqëndrim në Republikën e Kosovës, për faktin se është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe lehtas mund të shmanget apo të ikë në vend të panjohur për organet e ndjekjes penale, ashtu që do të pengohet rrjedha normale e procedurës.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi./Gazeta Sinjali/