Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj B.M., i dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo masë i është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar, bindëse dhe mjaftueshëm e argumentuar për këtë fazë të procedurës”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
B.M., dyshohet se ka falsifikuar pajisje me dëshmi-pasaportë të vaksinimit COVID-19.
Ai dyshohet se kundrejt shumës së pagesës ka mundësuar pajisjen me dëshmi-pasaportë të vaksinimit COVID-19 pa u vaksinuar fare, duke i futur të dhënat e personave edhe në sistemin e vaksinimit të Republikës së Serbisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/