image Prokuroria kërkon paraburgimin e falsifikuesit të parave në Prizren, por gjykata e refuzon kërkesën

Drejtësi

Prokuroria kërkon paraburgimin e falsifikuesit të parave në Prizren, por gjykata e refuzon kërkesën

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi për arrestimin e Amir Krasniqit, të dyshuar për katër raste të “Falsifikimit të parasë”, në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Ndonëse gjatë kontrollit tek i dyshuari, policia gjeti dhe konfiskoi katër kartëmonedha 100 euroshe të falsifikuara, substancë narkotike dhe municion të revoles, ai u lirua në procedurë të rregullt, me vendim të gjykatës.

Nga Prokuroria Themelore e Prizrenit kanë thënë për Gazetën Sinjali se Gjykata Themelore e këtij rajoni e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit.

“Lidhur me rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prizren kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin A.K., për veprën penale ‘Falsifikimi i parasë’ nga neni 296 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Nga kjo prokurori kanë bërë të ditur se gjykata ka caktuar masën “paraqitje në stacion policor” dhe se ndaj kësaj mase, Prokuroria Themelore në Prizren do të ushtrojë ankesë.

“Gjykata Themelore në Prizren, ka refuzuar kërkesën dhe për këtë rast ka caktuar masën ‘paraqitje në stacion policor’. Kundër këtij vendimi, Prokuroria brenda afatit ligjor do të ushtroj ankesë”, përfundon përgjigjja.

Amir Krasniqi dyshohet se ka mashtruar të moshuarit dhe shitësit në dyqanet e të cilëve nuk ka pasur kamera të sigurisë, duke paguar me para të falsifikuara për mallin e blerë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/