image Gjykata merr vendim për shoferin që goditi për vdekje dy fëmijë në Carralevë - Sinjali

Gjykata merr vendim për shoferin që goditi për vdekje dy fëmijë në Carralevë

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar Visar Morinën me tri vjet burgim, pasi që ka pranuar se nga pakujdesia i ka goditur për vdekje dy fëmijë në fshatin Caralevë, në maj të këtij viti, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e çështjes, Mimoza Shabani, dënimin me burgim, Morina do ta vuajë pasi aktgjykimi të merr formën e prerë, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 9 maj 2021 deri më 9 qershor 2021.

Morinës po ashtu iu shqiptuar edhe dënim plotësues, duke ia ndaluar drejtimin e automjetit për dy vjet, pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Visar Morina e ka pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet, në seancën e të premtes.

Ndërsa sipas aktgjykimit, është refuzuar propozimi për shqiptimin e dënimit plotësues, “Marrja e lejes së vozitjes” sipas nenit 65 të KPP-së, pasiqë nuk ka bazë ligjore që të shqiptohen dy dënime plotësuese në të njëjtën kohë siç ka propozuar prokuroria në aktakuzë, ka thënë gjyqtarja e çështjes, Mimoza Shabani.

Sipas aktakuzës, më 9 maj 2021, rreth orës 16:12, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prizren, fshati Carralevë, Shtime, i pandehuri kishte qenë duke drejtuar automjetin e  tij dhe nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik, kështu duke rrezikuar jetën e njerëzve.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte qenë i pakujdesshëm gjatë lëvizjes në rrugë, duke mos iu përmbajtur shenjave në rrugë, si dhe nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e lëvizjes ndaj kushteve në rrugë, duke lëvizur me shpejtësi prej 75 km/h, derisa kufizimi i shpejtësisë ka qenë 50 km/h.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me të arritur në hyrje të fshatit Carralevë, në një kthesë të majtë kishte humbur kontrollin e lëvizjes kështu duke kaluar nga shiriti i djathtë i lëvizjes në shiritin e majtë dhe më pas jashtë rrugës, ku me ç’rast i kishte goditur me pjesën e përparme të automjetit këmbësorët (fëmijët) – tani të ndjerët L.RR dhe D.B, të cilët ishin duke lëvizur në skaj të rrugës në anën e majtë (shikuar nga drejtimi i lëvizjes së automjetit).

Sipas aktakuzës, së bashku me të ndjerët automjeti ishte rrokullisur dhe kishte përfunduar mbi lum, ndërsa si pasojë e lëndimeve i ndjeri L.Rr., ka vdekur për shkak të gjakderdhjes në kafazin e krahrorit, ndërsa i ndjeri D.B., ka vdekur për shkak të gjakderdhjes në kafazin e krahrorit, si dhe thyerjeve në boshtin kurrizor në nivel të C&TH1, të konstatuara në Raportet e Autopsisë së datës 10 maj 2021.

Me këtë ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: